Aktivitet me temë: “Integriteti dhe lidershipi në përgjithësi"

Shkolla e Magjistraturës, në 26 nëntor 2024, në bashkëpunim me Projektin EU4FAST organizoi aktivitetin me temë: “Integriteti dhe lidershipi në përgjithësi. Drejtimi i prokurorisë në veçanti” me kandidatët për magjistratë të formimit fillestar. Aktiviteti konsistoi në një leksion të hapur të z. Ben Sëagerman, prokuror holandez, i njohur tashmë në Shqipëri për shkëmbimin e eksperiencave midis prokurorëve, krijimin e urave lidhëse për bashkëpunim ndërkombëtar etj. 

 

Me një përvojë të gjatë në fushën e drejtësisë, Z. Sëagerman angazhohet aktualisht si konsulent në projektin EU4FAST për cështje të trafikimit të personave dhe emigracionit të paligjshëm. Ai ka ushtruar detyra të ndryshme gjatë viteve si detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit në Hertogenbosch, Drejtues i Prokurorisë së Roermond-it, North Limburg, Menaxherit të Përgjithshëm Kombëtar për ristrukturimin e Shërbimit të Prokurorisë, Avokat i Përgjithshëm në ishujt Antille, Prokuror Publik i distriktit të Amsterdamit si dhe detyra të ndryshme në sistemin e drejtësisë të Hollandës. 

 

Në aktivitet kandidatët për magjistratë u njohën me: 

- karrierën e z. Ben Sëagerman në prokurorinë holandeze dhe në sektorë të tjerë; 

- mësuan rreth EU4Fast dhe fokusit të tematikave në qendër të projektit; 

- çfarë është lidershipi dhe si duhet t’i qasemi integritetit si një instrument normativ; 

- roli i drejtimit të prokurorisë (dhe çfarë kërkon ai nga organizata dhe nga palët e tjera të interesuara siç është policia); 

- si mund të paraqitet çështja gjyqësore bindshëm dhe me efektivitet në gjykatë; 

- u bë një rezyme e gjendjes aktuale të çështjeve në prokurorinë shqiptare; si dhe u diskutua me kandidatët për magjistratë çështje me interes për shkëmbim përvojash. 

 

Aktiviteti u konsiderua mjaft i vlefshëm nga kandidatët për magjistratë përsa i takon përfitimeve dhe dobishmërisë në kryerjen e veprimeve të përditshme të punës së magjistratit.